Jorgji Doksani në takim me përkthyesin “Përkthimi sot dhe inteligjenca artificiale”

Më datë 14.12.2023, Dega e Gjuhës Ruse, organizoi në Sallën “Rozafa”, të FGJH-së një aktivitet shkencor me temë: Jorgji Doksani në takim me përkthyesin “Përkthimi sot dhe inteligjenca artificiale”.
Koordinatorja, prof. asoc. dr. Alma Pinari, pasi bëri  hapjen e këtij takimi, ia dhe fjalën përkthyesit të njohur, Jorgji Doksani, i cili foli rreth sfidave të përkthimit tradicional në kontekstin e zhvillimit të inteligjencës artificiale dhe teknologjive të reja.
Të pranishëm në këtë takim ishin zv/dekane dr. Drita Rira, përgjegjësi i Departamentit të Gjuhëve Sllave dhe Ballkanike prof. asoc. dr. Adriatik Derjaj, si dhe kolegë e studentë nga fusha e përkthimit. Diskutimet e zhvilluara rreth kushteve të përkthimit ngjallën interes për pjesëmarrësit.
Përkthyesi Jorgji Doksani, ndau mendimin e tij se, përkthyesi i letërsisë artistike nuk mund të zëvendësohet asnjëherë nga inteligjenca artificiale, pasi emocionet dhe ndjenjat e shprehura në veprat nga autorët e tyre nuk mund të përcillen me saktësi nga një makineri. Ai, gjithashtu theksoi, se cilësia e përkthimit përcaktohet nga aftësia e përkthyesit për të kapur thelbin e veprës, duke shpjeguar se lexuesi nuk do të përjetojë të njëjtat ndjenja, apo emocione, nëse përkthimi nuk do të pasqyrojë me saktësi figurat letrare, ashtu siç janë përcjellë në veprën origjinale.
Gjatë takimit u shkëmbyen ide të shumta nga të pranishmit për përmirësimin e përkthimit në kushtet, në të cilin ai ndodhet sot. Ky aktivitet shkencor ngjalli interes te përkthyesit e ardhshëm, që studiojnë në FGJH.
Ballafaqimi me përkthyesin e shumë autorëve të njohur rusë si Dostojevski, Gogoli, Tolstoi, Çehovi, shpalosi një aspekt të veçantë të këtij debati, duke nxjerrë në pah sfidat e përkthimit në kohën e sotme.