Në vijim të aktiviteteve të parashikuara të grupit mësimor-kërkimor “Letërsi dhe Qytetërim i Gjuhës Gjermane” dhe Departamentit të Gjuhës Gjermane, në datën 09.04.2024, ora 11.00, në sallën Europa, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, u organizua një takim letrar me shkrimtarin e njohur zviceran, fitues të shumë çmimeve, z. Peter Stamm.

Në aktivitet morën pjesë pedagogët e departamentit të gjuhës gjermane, pedagogë nga departamente të tjera të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, studentë të gjuhës gjermane dhe të ftuar të tjerë.

Për një periudhë prej rreth dy orësh, pjesëmarrësit kishin mundësinë të dëgjonin dhe të diskutonin me z. Peter Stamm në lidhje me dy romanet e tij, “Agnes” dhe “Shpërfillja e ëmbël e botës”, të përkthyera në gjuhën shqipe nga Anna Kove dhe botuar nga shtëpia botuese”Aleph”.

Moderimi i takimit u bë nga Marsela Likaj (anëtare e grupit mësimor-kërkimor dhe përgjegjëse e departamentit të gjuhës gjermane), e cila përmblodhi pikat kyçe të dy veprave për të fokusuar vëmendjen e pjesëmarrësve në thelbin e veprave të autorit.

Po ashtu, për të shtuar vlerë në përvojën letrare të diskutimit, autori dhe përkthyesja lexuan pjesë nga romanet. Duke prezantuar fragmente nga romanet, ata i lejuan audiencës të ndjehen pjesë e botës së krijuar nga Stamm dhe të eksplorojnë emocionet dhe thellësitë e personazheve dhe ngjarjeve të tyre.

Anila Mullahi, një kritike dhe studiuese e njohur, shprehu pikëpamjet e saj për dimensionin e hapësirës dhe kohës në krijimtarinë e shkrimtarit Peter Stamm.

Gjithë takimi u përkthye nga anëtari i grupit mësimor-kërkimor, lektori Saljan Cullhaj, për të siguruar që të gjithë pjesëmarrësit të kuptonin në mënyrë të plotë diskutimet.

Në përfundim pjesëmarrësit patën mundësinë të bëjnë pyetje autorit, përkthyeses dhe botuesit.