🏫🇷🇺Ditën e djeshme me datë 15.11.2023, studentët e Degës së Gjuhës Ruse, të Fakultetit te Gjuhëve të Huaja organizuan në Sallën “Europa” aktivitetin letrar me temë: “Një udhëtim me klasikët rusë”.
🤗Ishte e pranishme në këtë aktivitet vetë dekania e FGJH-së, prof. dr. Esmeralda Kromidha, përgjegjësi i Departamentit të Gjuhëve Sllave dhe Ballkanike prof. asoc. Dr. Adriatik Derjaj, si dhe shumë pedagogë, student, miq dhe të ftuar nderi.
👉Ky aktivitet u karakterizua nga prezantimet tepër interesante të sjella nga studentët, të cilët recituan poezi të përzgjedhura nga krijmtaria e klasikëve rusë. Programi filloi me hapjen zyrtare dhe vazhdoi me prezantimin e jetës së M.Y. Lermontovit dhe recitimin e veçantë të njërës prej vjershave të tij nga studentja Marina Bogdani.
✍️Nuk u la pa u përmendur historia dhe poezitë e shkrimtarit të njohur dhe tepër të dashur për lexuesin A. S. Pushkin, të interpretuara plot ndjenjë dhe emocion nga studentet e talentuara Ardita Gjebrea dhe Alesia Hida. Po ashtu, këtë aktivitet e nderoi me fjalën e tij përshëndetëse poeti, dramaturgu, përkthyesi nga gjuha ruse përkthyesi Vangjush Ziko, i cili përktheu nga origjinali romanin në vargje të A.S. Pushkin “Eugjen Onjegini”, botuar nga Shtëpia Botuese Argeta LMG. Pjesë të shkëputur nga origjinali i këtij libri u recituan nga studentja Anna Mieshkova. Gjithashtu, u ilustruan momente nga jeta, krijimtaria e S. A. Eseninit, të cilat u pasuan me recitim nga studentja Dea Vjero. U vijua me analizën e poezisë së Anna Ahmatovës, sjellë në formën më të bukur nga studentja e përkushtuar e gjuhës ruse Jessica Maxhaku, e cila pasi recitoi vargje të autores, solli dhe shqipërimin e saj të këtyre vargjeve.
👉Këtë aktivitet letrar e nderuan me pjesëmarrjen e tyre dhe ish profesorët e gjuhës ruse, njëkohësisht përkthyesit e saj të njohur për lexuesin shqiptar, që kanë dhënë një kontribut të çmuar në fushën e përkthimit, Jorgji Doksani, Myzejen Shapllo dhe Mukades Mançe. Ata përcollën për studentët dhe të pranishmit informacione tepër interesante dhe të vlefshme për ta. Diskutimet e Myzejen Shapllos dhe Mukades Mançes në lidhje me gjuhën dhe letërsinë ruse ishin inkurajuese për studentët e kësaj dege. Vlerë këtij aktiviteti i dha recensioni i Jorgji Doksanit mbi klasikët rusë dhe mbi përkthimet e tyre në gjuhën shqipe, ku mund të themi që ishte dhe pika kulmore e këtij takimi letrar. Në fund të programit studentja Elisa Bardhi u drejtoi studentëve një pyetësor letrar mbi jetën dhe krijimtarinë e këtyre shkrimtarëve.
✍️Mbyllja e programit u karakterizua nga një atmosferë frymëzuese me pyetje interesante nga të pranishmit. Ky aktivitet letrar ofroi një perspektive të thellë mbi njohjen e gjuhës dhe kulturës ruse dhe rolin e saj në kontekstin e përkthimit, si dhe të studimit tek studentët e Degës së Gjuhës Ruse.