Grupi Mësimor Kërkimor Gjuhësi – Përkthim i Gjuhës Ruse

Grupi Mësimor Kërkimor Gjuhësi – Përkthim i Gjuhës Ruse
Kryetar : Prof. Asoc. Dr. Eda Shehu
Email: [email protected]         

 Grupi mësimor kërkimor i Degës së Gjuhës Ruse synon prurjen e risive në fushën e gjuhësisë, përkthimit,  si dhe përmirësimin e mësimdhënies dhe mësimnxënies për studentët e Degës së Gjuhës Ruse  përmes një sërë aktivitetesh mësimoro-shkencore dhe kulturore, të cilat do të ndërrmerren gjatë viteve 2022-2024.  Ky grup Mësimor – Kërkimor do të fokusohet në veprimtari të ndryshme si më poshtë:

  • Përmirësimi i kurrikulës duke iniciuar hartimin e një i programi të ri Bachelor të Gjuhës Ruse, profili ”Përkthim dhe Interpretim gjuhë ruse dhe angleze” për vitin akademik 2023-2024. Hartimi krejtësisht i ri i këtij programi lidhet me përkthimin dhe interpretimin, në bashkëpunim me Departamentin e Anglishtes, i përgjgjet sfidave të kohës, i cili kërkon përkthyes dhe interpret jo vetëm në një gjuhë.
  • Ndryshim 20% në kurrikul. Ky ndryshim synon që të zhvillojë kompetencat kyçe të programit të studimit. Kurrikula strukturohet sipas kompetencave kyçe dhe rezultateve të nxënit për kompetencë dhe organizohet në fusha të nxëni.
  • Projekt i studentëve të vitit të dytë, Cikli Master mbi përkthimin me temë:Letërsia për fëmijë”, të cilët do të sjellin të përkthyer në shqip nga gjuha ruse përrallën e shkrimtarit G.H.Andërsen të titulluar “Gishtëza”, e cila do t’i dhurohet,  si një nismë humane prej tyre “Dhuro një buzëqeshje”, Shtëpisë së Fëmijës Zyber Hallulli”, Tiranë.
  • Tryezë e rrumbullakët me temë: ”Rusishtja në tregun e turizmit”, aktivitet shkencor në bashkëpunim me agjensi të ndryshme turistike brenda vendit në bashkëpunim me Universitetin Mons të Francës. Objekti i veprimtarisë do të jetë zgjerimi i njohurive për përkthyesit e rinj në fushën e shërbimit, turizmit dhe menaxhimit.
  • Aktivizim i stafit në ditët e informimit të programeve Bachelor të Degës së Gjuhës Ruse.
  • Seminar shkencoro-letrar mbi përkthimet e Dostojevskit me temë: “Dostojevski flet shqip”, në kuadër të 200 vjetorit të lindjes së shkrimtarit. Në këtë seminar do të gjejnë trajtim shkencor problemet e përkthimit, gjuhësisë së zbatuar, stilistikës në veprat e shkrimtarit rus, Dostojevskit.
  • Shkollë verore: “Gjuha Bullgare” në kuadër të përvetësimit dhe të nxënit të njohurive rreth kulturës dhe gjuhës bullgare e organizuar nga Prof.Asoc.Dr. Raqi Bello.
  • Takim i përvitshëm në kuadër të javës së Gjuhës Ruse në Berlin.
  • Promovimi i librit mësimor “Gramatikë praktike e gjuhës” (metodë për studentët shqipfolësit) nga pedagogia Prof.Asoc.Dr. Alma Pinari.
  • Promovim i librit mësimor “Gjuhë ruse e biznesit turistik” (metodë për studentët shqipfolës) nga pedagogia Prof.Asoc.Dr. Alma Pinari.
  • Aktivitet kulturor me temë: “Festat e Dimrit”, kultura dhe tradita ruse. Qëllimi i këtij aktiviteti është njohja e studentëve me kulturën dhe traditën ruse mbi organizimin e festave tradicionale të dimrit në Rusi, si ato organizohen dhe festohen nga rusët.
  • “Kulinaria ruse”- aktivitet promovues-kulturor, qëllimi i të cilit ka të bëjë me njohjen nga studentët të gatimeve tradicionale ruse. Studentët do të njihen nga afër me gatimet ruse.
  • Ky grup e sheh si kusht që puna individuale shkencore e gjithsecilit të kombinohet me projektet kërkimore në grup.
  • Aplikimi në projekte në kuadër të programit Erasmus + etj. do të jetë në fokus të këtij grupi mësimor për më shumë mobilitete të pedagogëve.
  • Rritja dhe bashkëpunimi i FGJH-së, Degës së Gjuhës Ruse me institucione brenda vendit dhe jashtë vendit është një prioritet i kësaj dege.

Dy projektet e inicuara nga ky grup kërkimor në bashkëpunim me kolegët e Departamentit të Gjuhëve Sllave dhe Ballkanike:

Projekti nr. 1 : Prof. Asoc.Dr. Eda Shehu (koordinatore e projektit),  (11 Maj, 2023)

Konferencë Shkencore Ndërkombëtare me temë bosht: “Terminologjia në fushat humane dhe pasqyrimi i saj në fjalorë”

Akset kërkimore :

  • Terminologjia e fushave humanitare në gjuhën shqipe në marrëdhënie me fushat teknike dhe natyrore;
  • Marrëdhëniet e leksikut të përgjithshëm me leksikun terminologjik në fusha të ndryshme të dijes;
  • Marrëdhëniet e termave të huaj në gjuhën shqipe me termat e shqipëruar;
  • Shqipërimet në fjalorët terminologjikë;
  • Fjalorët terminologjikë dhe përkthimi;
  • Vëzhgime gjuhësore rreth llojeve të fjalorëve dygjuhësh;
  • Raporti i përdorimit të termave të huaj në fjalorët terminologjik gjuhë e huaj – shqip.
  • Probleme të dysorëve në fjalorët terminologjikë;
  • Probleme të sinonimisë në fjalorët dygjuhësh;
  • Reflekse të teorisë së terminologjisë në fjalorë;
  • Probleme të homonimisë dhe polisemisë në fjalorët terminologjikë;
  • Studime teorike të terminologjisë në praktikën e hartimit të fjalorëve terminologjikë;
  • Hartimi i fjalorëve të termave të fushave të ndryshme të dijes;
  • Arritje dhe probleme të hartimit të fjalorëve dygjuhësh;
  • Probleme dhe zgjidhje në hartimin e fjalorit terminologjik gjuhë e huaj – shqip.
  • Pasqyrimi i termave në fjalorët shpjegues (1980-2006);
  • Përfaqësimi i termave njëfjalësh dhe togfjalësh në fjalorët terminologjikë;
  • Pasqyrimi i termave në fjalorët dygjuhësh si gjuhë të huaja për shqipen;
  • Pasqyrimi i termave në fjalorë dhe përdorimi i tyre në praktikën ligjërimore;
  • Terminologjia në procesin e mësimdhënies;

Objektivi i përgjithshëm i projektit nuk është vetëm për të mundësuar prezantimin e rezultateve të reja të hulumtimit, por edhe për të shkëmbyer mendime, këndvështrime e ide të reja kërkimore shkencore mes kapaciteteve të njohura në fushën e leksikut terminologjik në marrëdhënie me leksikun e përgjithshëm, veçanërisht në hartimin e fjalorëve terminologjikë, shpjegues e dygjuhësh.

Objektivat specifikë të projektit lidhen ngushtë me: ekspozimin e praktikave, përvojave dhe të modeleve të edukimit ndërkulturor në Shqipëri, Kosovë Bullgari, Maqedoni, si  dhe në vendet e referuesve pjesëmarrës në këtë konferencë.

Kjo konferencë mbi terminologjinë dhe pasqyrimin e saj në fjalorët në gjuhë të huaj do të shtrihet me diskutime të ndyshme nga specialistë brenda dhe jashtë vendit. Njohja dhe zotërimi i terminologjisë në kohën tonë është kusht i domosdoshëm për çdo veprimtari. Çdo fushe e jetës ka një terminologji specifike që përdoret në jetën tonë dhe që shumë autor kanë hartuar fjalorë të ndryshëm, të cilët përdoren nga specialist të këtyre fushave humane.

Përfituesit : Gjuhëtarët, shkenctarët, pedagogëve, studentët e diplomuar që kryejnë veprimtari kërkimore etj..

Rezultatet e pritshme: Rezultatet e këtij kërkimi shkencor do të pasqyrohen në botimin e akteve të kësaj konference, si dhe në botime të tjera, nga të cilat do të përfitojnë të interesuarit që merren me studime në këtë fushë.

 

Projekti nr. 2: Anëtarë të projektit : Prof. Asoc. Dr. Eda Shehu (koordinatore e projektit), Prof.Asoc.Dr. Adriatik Derjaj, Prof. Asoc.Dr. Raqi Bello (2022-2024)

“Kontaktet e Gjuhëve Sllave dhe Ballkanike me Gjuhën Shqipe vështruar në kushtet e dygjuhësisë, në lidhje me strukturat gjuhësore dhe me anët didaktiko-mësimore (të gjuhëve: ruse, bullgare, turke)

Objektivi i përgjithshëm i projektit është trajtimi i Gjuhëve Sllave dhe Ballkanike (rusishtja, bullgarishtja, turqishtja) në rrafsh përqasës me gjuhën shqipe, në lidhje me përputhjet dhe mospërputhjet leksiko-gramatikore, të njësive njëfjalëshe barazvlerëse me ato togfjalësha në fjalorët dygjuhësh dhe zbatime metodike në të mësuarit e gjuhës së huaj.

Objektivat specifikë të projektit lidhen ngushtë me: Analizën gjuhësore përqasëse, si dhe me rastet e vështirësive tipike që shfaqen në mospërputhjet (krahas përputhjeve) të strukturave gjuhësore, në procesin e mësimdhënies së gjuhëve të huaj (rusishtes, bullgarishtes, turqishtes) që do të studiohen  në rastin tonë në përqasje me shqipen, si dhe përshtatjet apo interferencat brenda këtyre strukturave të formave semantiko-gramatikore. Ky projekt do të  krijojë  mundësitë për të formuluar rregulla dhe sisteme ushtrimesh të veçanta për ato dukuri të gjuhëve të huaja që do të trajtohen dhe që paraqesin vështirësi të veçantë për mësimdhënien, apo mësimnxënien nga ana e studentëve/ nxënësve tanë.

Përsa i përket metodikës së veçantë duhet theksuar, gjithashtu, se të dhënat e analizës gjuhësore përqasëse mund të shfrytëzohen nga ajo në këto drejtime:

  • Studimi i veçorive dhe të përbashkëtave të gjuhëve sllave e ballkanike në përqasje me gjuhën shqipe;
  • Analizimi i ndikimeve gjuhësore si pasojë e kontakteve gjuhësore;
  • Shfrytëzimi i tyre sa më i gjerë në të gjitha nivelet e gjuhës lidhur me të mësuarit e gjuhës së huaj;
  • Shfrytëzimi i tyre aq sa është e dobishme dhe e arsyeshme për nxënësin;

Përfituesit : – Në nivel universitar: pedagogët, mësuesit e gjuhëve të huaja, kërkuesit shkencorë, studentët, nxënësit që studiojnë gjuhët e huaja. – Në nivel kombëtar: faktorë të tjerë institucionalë për një politikë gjuhësore më të mirë dhe më efektive në këtë fushë.

Ky projekt do të karakterizohet nga një qasje e lirë, krijuese për interpretimin e temës, rrjedhën e punës dhe paraqitjen e rezultateve, të cilat do të kenë vlerë për të interesuarit etj.

Rezultatet e pritshme

  • Rezultatet e këtij kërkimi shkencor do të pasqyrohen në botime të ndryshme në nivel artikujsh, punimesh etj., vepër në nivel monografie, nga të cilat do të përfitojnë të interesuarit që merren me studimet në fushën përkatëse;
  • Publikimi i studimeve të përbashkëta dhe marrja pjesë nëpër konferenca;

Produkti/produktet e projektit
Prezantimi i platformës si dhe botime në revista shkencore të rezultateve tբ arritura.

Plani i punës, përfshin metodologjinë dhe teknikat që propozohen të përdoren.

Anëtarët e këtij Grupi Mësimor – Kërkimor do të marrin pjesë në konferenca ndërkombëtare, workshope, publikime në revista shkencore brenda dhe jashtë vendit, të vlerësuara me faktor impakti.

AKTIVITETE